Snow-capped mountain peaks at sunset with warm light illuminating the rocky tops.

GJUHA JONË SHQIPE

E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor.

Faik Konica (1875 - 1942)

Ç’është Besëlidhja?

Besëlidhja për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe është një nismë jofitimprurëse, që ka për qëllim të nxisë, të mbështesë dhe të rritë përdorimin e qëndrueshëm, të plotë dhe të saktë të gjuhës shqipe, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar.

Mësoni më tepër për Besëlidhjen

Çështjet me të cilat ne merremi

Huazime

Huazime janë një pjesë shumë e gjerë e gjuhëve. Ne punojmë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës në të njëtjën kohë. Në përgjithësi, Besëlidhja mban qëndrim tepër të rreptë ndaj huazimeve të pangulitura ose përgjithësisht të panevojshme.

Mësoni më tepër…

Drejtshkrim, Gramatikë

Sot, gjuha shqipe vuan nga një' epidemi “shtrembërshkrimi”. Rregullat gjuhësore nuk respektohen thuajse askund, as në vendet e situatat më zyrtare, si p.sh. në fushën e drejtësisë, kur gabimet gjuhësore rrezikojnë të shpien edhe pasoja ligjore. Fatkeqësisht, nuk duket se ka ndonjë përpjekje nga autoritetet gjuhësore apo nga qeveria për përmirësimin e gjendjes. Megjithatë, Besëlidhja punon vazhdimisht për informim sa më të plotë të lexuesve në lidhje me rregullat gjuhësore, standardin e shqipes, drejtshkrimin, drejtshqiptimin etj. Për më tepër, ne bashkëpunojmë vazhdimisht me sektorin privat, për përmirësimin ose pakësimin e gabimeve gjuhësore dhe keqpërdorimeve të gjuhës shqipe. Drejtshkrim-gramatika dhe huazimet janë, në fakt, ndër çështjet më sfiduese me të cilat Besëlidhja punon. Në këtë faqe mirëmbajmë edhe një renditje me pyetje-përgjigje në lidhje me drejtshkrimin dhe mirëpresim çdo pyetje shtesë që ju mund të keni, nga çdo fushë e jetës. Për t’u njohur më tepër me të tilla gjëra, ju lutemi të lexoni nënfaqen e drejtshkrimit (duke shtypur lidhjen më poshtë).

Mësoni më tepër…

Sintaksë

Sintaksa e shqipes, si ajo e çdo gjuhe tjetër, padyshim që ndikohet nga të tjera gjuhë. Megjithatë, sot, veçanërisht prej anglishtes, sintaksa e gjuhës sonë po dëmtohet thellas. Ne punojmë për ruajtjen e saj dhe pëparimin e kujdesshëm gjuhësor, pa cenuar veçantitë e shqipes. Zhvillimi gjuhësor nuk duhet kurrsesi të bëhet në dëm të sintaksës së shqipes.

Mësoni më tepër…

Të shprehurit

Bashkë me zhvillimet bashkëkohore, po ndryshon - shpesh në dëm të shqipes - edhe forma e të shprehurit në shqip. Ne do t'u mëshojmë formave të bukura shqipe ndaj atyre të huaja, të cilat, besojmë se e zhveshin gjuhën nga karakteri i saj kuptimplotë.

Mësoni më tepër…

Të folmet e shqipes

Siç dihet, shqipja ka dy kryedialekte: gegërishten dhe toskërishten. Këto ndahen më tej në të folme krahinore. Ne besojmë se një gjuhë e shëndoshë jeton së bashku me gjithë dialektet e të folmet e saj. Shqipfolësit i takon moralisht t'i njohë themelet e çdo të folmeje, të njohë fjalë e shprehi prej këtyre, përballë së cilave mund të gjendet në përditshmërinë e tij, por jo vetëm.

Mësoni më tepër…

Kulturë Gjuhe

Besëlidhja do të merret edhe me çështje të kulturës së gjuhës. Në këtë kënd do të trajtohen ngjarje historike, pjesëza të zhvillimit të gjuhës, e kështu me rradhë. Ne besojmë se kultura gjuhësore është e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin intelektual të një populli. Kështu, do të punojmë për të informuar shqipfolësit sa më mirë të jetë e mundur mbi aspekte të tilla, që në fund të fundit, kanë të bëjnë me vetë kulturën e tyre.

Mësoni më tepër…

Çështje Gjuhësore

Çështjet e gjuhësisë shqipe janë mjaft të ndërlikuara, që prej drejtshkrimit, të folmeve, zhvillimit teknologjik etj. Si përballet shqipja sot me termat e fushës së TIK-ut? Emrat e huaj - sipas drejtshkrimit - shkruhen sipas parimit fonetik të shqipes. Po në atë kohë emra të tillë ishin të pakët dhe zakonisht tepër të njohur. Sot, në një botë kaq të ndërlidhur, emrat e fjalët e huaja gjenden kudo. Si ta kuptojmë këtë rregull?

Besëlidhja e mirëpret dhe e nxit debatin dobiprurës , apo thjesht bisedat që kanë për qëllim çojnë gjuhën përpara, në lidhje me çfarëdolloj çështjeje gjuhësore. Megjithatë, theksojmë respektin e jashtëzakonshëm që ne ruajmë për standardin e gjuhës shqipe si formë e njësuar e saj, për rregullat gjuhësore, për rrugën e gjatë e të palodhur të zhvillimit të shqipes dhe për studiuesit e gjuhës. Besëlidhja nuk e pranon debatin “për hir të debatit”, veç sa për të kundërshtuar, apo se një farë rregulli “nuk i pëlqen dikujt”. Argumenti është thelbi i debatit. Çështjet gjuhësore kanë ndikim mbi një hapësirë të tërë shqipfolëse, që i tejkalon kufijtë politikë të Republikës së Shqipërisë. Nëse debatohet çdo gjë, atëherë nuk ka kurrfarë vlere.

Mësoni më tepër…

Përse një nismë për gjuhën shqipe?

Sado që do të donim të kishim diçka më të bukur, ndoshta më të ëmbël për t’ju thënë, i dashur shqipfolës, Besëlidhja për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe ka lindur prej së keqes.

Vizioni për të është i tepër i hershëm, vite të tëra përpara daljes në dritë, nga fundi i vitit 2025. Misionin tonë ne e shohim të ndarë në dy degë: t’i japim dije lexuesit tonë dhe ta bëjmë këtë lexues t’i japë dije dikujt tjetër. Qëllimisht përdorim fjalën “dije” dhe jo “informacion”, pasi dhënia e dijes së çalë, është një ndër të këqijat më të mëdha, sidomos në fushën e gjuhësisë. Është shumë më e dëmshme ta dish diçka gabim dhe të mendosh se e di saktë, sesa të mos e dish aspak. Besëlidhja përpiqet ta shmangë këtë sa më shumë të jetë e mundur, duke u kujdesur sa më shumë që ajo çfarë ne ju japim juve si lexues, të jetë dije “e kulluar”, në kuptimin e shkallës së përkushtimit që gjithë pjesëmarrësit në Besëlidhje japin.

Sigurisht që askush nuk është i pagabueshëm, sado të mundohet të jetë. Prandaj, ne i mirëpresim kritikat dobiprurëse me përulësi dhe falënderojmë këdo që shpenzon kohë për t’i bërë. Themi “kritika dobiprurëse”, d.m.th., kritika që kanë një thelb në vetvete, që paraqesin diçka që ne nuk po e bëjmë siç duhet, pse kjo gjë është gabim dhe si mund ta ndreqim (ndoshta kritikuesi nuk ka një rrugëzgjidhje, por do veç të na tërheqë vëmendjen për diçka të caktuar që nuk shkon ashtu siç duhet - kjo gjë mirëpritet po ashtu). Gjuha e pahijshme apo kritikat “vrervjellëse” nuk merren parasysh, për të vetmen arsye që nuk na japin mundësi të ndryshojmë apo të ndreqim një gabim të caktuar.

Në fund, duam veç t’ju themi ta doni gjuhën shqipe. Është një gjuhë jashtëzakonisht e lashtë, e bukurtingëlluese, e ëmbël, e brishtë, shijehollë… Kur gjendeni para zgjedhjes mes një fjale të huaj dhe një fjale shqipe, mendoni dy herë para se të zgjdhni fjalën e huaj (ndoshta për t’u dukur bashkëkohorë, apo të përparuar). Gjuha shqipe është përparimi më i madh që mund të sillni, është gjuhë që kurrë nuk del “jashtë mode”.

Pa shihni ç’gjuhë e mirë!
Sa shijë ka e hije,
ç’e bukur edh’ e lirë,
si gjuhë Perëdije.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
janë të bukura me themel,
por prap kjo, si diell pa hije,
për mue t’ tanave iu del.

Mësoni më tepër për misionin e Besëlidhjes
Placeholder

A modern wooden house with a flat roof beside a field of tall, golden grass. In the background, a body of water with mountains and misty clouds underneath a pastel-colored sky.

Shihni diçka që nuk ju pëlqen? Ndoshta vini re një gabim, apo keni një sugjerim? Ju lutemi, na thoni, sado i vogël qoftë.

Qëndrimi i Besëlidhjes mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale

I nderuar lexues,

Besëlidhja për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe ende nuk beson se Inteligjenca Artificiale ka aftësinë ta mirëpërdorë gjuhën shqipe. Përgjatë kërkimeve të vazhdueshme kemi vënë re një sërë të metash, të cilat jo vetëm që nuk e respektojnë natyrën e gjuhës shqipe, por e dëmtojnë tepër. GJMGJ-të (Gjedhet e Mëdha Gjuhësore), si ChatGPT, nuk janë të afta të hartojnë tekste të sakta, të kujdesshme dhe të natyrshme për gjuhën shqipe.

Ju këshillojmë të MOS e përdorini Inteligjencën Artificiale veçanërisht për shkrimin e teksteve në gjuhën shqipe, pasi kjo, përveç gjuhës në tërësi, ju dëmton jashtëzakonisht ju dhe aftësinë tuaj shprehëse. 

Besëlidhja vendos të mos mbajë qëndrim kundrejt përdorimit të Inteligjencës Artificiale në fusha të tjera. 

Duke ju falënderuar, 
Krerët e Besëlidhjes për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe.